Mbi projektin

Parlamentet janë ndër institucionet më të fuqishme si në vendet demokratike ashtu edhe në ato jo demokratike. Si rrjedhojë, informacioni mbi deputetët, aktivitetin e tyre, procesin legjislativ dhe produktet e këtij procesi janë nga informacionet më të rëndësishme të prodhuara nga sektori publik. Që një qeverisje të jetë transparente, e drejtë dhe efektive është thelbësore që informacioni mbi parlamentin të publikohet në kohë, i plotë dhe të jetë i lehtë për tu gjetur dhe ripërdorur.

Për më tepër, teknologjia e shekullit XXI mundëson publikimin e informacionit në internet çka e përmirëson ndjeshëm gjetjen dhe dobishmërinë e tij. Është një praktikë e njohur ndërkombëtarisht që sektori publik të bëjë të mundur aksesimin e informacionit në një formë të quajtur open data, çka do të thotë që të mos ketë pengesa të mëdha ligjore a teknike të cilat të pengojnë marrjen dhe ripërdorimin e tij.

Qëllimi i këtij projekti është të vlerësojë gatishmërinë dhe të qenit të hapura të të dhënave mbi parlamentet në disa vende, të ndihmojë në përmirësimin e transparencës së tyre dhe të ndërtojë aplikacione specifike që ripërdorin të dhënat e parlamenteve me qëllim rritjen e llogaridhënies politike të anëtarëve të parlamentit dhe angazhimin politik të qytetarëve.

Në momentin aktual projekti mbulon vendet dhe parlamentet përkatëse të mëposhtme: Shqipëri (Parliament), Bosnje Hercegovinë (House of Representatives, House of Peoples), Republika Çeke (Chamber of Deputies, Senate), Hungari (National Assembly), Kosovë (Assembly), Maqedoni (Assembly), Mali i Zi (Parliament), Poloni (Sejm, Senate), Serbi (National Assembly), Sllovaki (National Council). Në të ardhmen ne synojmë ta shtrijmë projektin edhe në vendet në vazhdim: Armeni (National Assembly), Azerbajxhan (National Assembly), Bjellorusi (House of Representatives, Council of the Republic), Gjeorgji (Parliament), Moldavi (Parliament), Ukrainë (Supreme Council).

Secili nga parlamentet e përmendur është kontrolluar duke përdorur një pyetësor të detajuar me qëllim përcaktimin e gatishmërisë dhe transparencës së 52 të dhënave parlamentare kryesore të marra nga faqet zyrtare në internet të këtyre parlamenteve. Më tej parlamentet e vendeve të ndryshme janë krahasuar duke përdorur një metodologji rigoroze dhe të paanshme me qëllim identifikimin e pikave të forta dhe të dobëta specifike, si dhe zgjidhje teknike specifike që synojnë të përmirësojnë defiçencat e vërejtura në një prej vendeve dhe që ekzistojnë në vendet e tjera.

Me qëllim rritjen e transparencës së të dhënave të parlamenteve të vendeve të mësipërme ne krijuam një bazë të dhënash të përbashkët. Kjo bazë të dhënash përmban kryesisht informacion mbi anëtarët e parlamenteve, rezultate të votimeve gjatë seancave plenare dhe transkripte të fjalimeve po gjatë seancave plenare. Kemi krijuar gjithashtu skripte për mbledhjen e të dhënave nga faqet zyrtare në internet të parlamenteve të cilat i ofrojnë këto të dhëna. Këto skripte shkarkojnë rregullisht të dhënat nga faqet zyrtare të parlamenteve. Të dhënat konvertohen më tej në një formë e cila është standarde dhe e njohur ndërkombëtarisht e quajtur Popolo standard of parliamentary data. Baza e të dhënave mund të aksesohet duke përdorur një aplikacion (API). Faqja web gjithashtu përmban shembuj të aplikacioneve specifike të ndërtuara mbi këto të dhëna.

Ky projekt është një përpjekje e përbashkët e organizatave: KohoVolit.eu (Republika Çeke dhe Sllovaki), CRTA (Serbi), Instituti për Politika Europiane Shkup (Maqedoni), Fundacja ePanstwo (Poloni), K-Monitor (Hungari), KRIIK Albania (Shqipëri), Zasto ne (Bosnje Hercegovinë). Projekti u mbështet financiarisht nga Fondi Ndërkombëtar Visegrad. Projekti është një përpjekje ndërkombëtare me qëllim rritjen e aksesibilitetit, transparencës dhe dobishmërisë së të dhënave parlamentare, veçanërisht Deklaratën për Transparencën e Parlamentit, një konventë ndërkombëtare e cila përkufizon standardet dhe praktikat më të mira për transparencën parlamentare, dhe Poplus, një federatë bashkëpunuese e koduesve civilë.